Një arratisje spektakolare e denjë për skenarë filmash ka ndodhur në burgun e sigurisë së lartë në Opera të Milanos. I burgosuri shqiptar Taulant Toma, i njohur për aftësitë e tij të jashtëzakonshme për t’iu shmangur drejtësisë, ka arritur të presë hekurat e qelisë dhe të zbresë nga ndërtesa duke përdorur çarçafë të lidhur njëri me tjetrin, gjatë natës duke gdhirë e diela, 7 dhjetor.
Sipas rindërtimit të parë të ngjarjes nga autoritetet italiane, Toma ka shfrytëzuar momentin e ndërrimit të turneve të gardianëve për të vënë në jetë planin e tij, i cili duket të ketë qenë i studiuar në detaje. Ende mbetet mister se si ai arriti të kapërcejë murin e jashtëm rrethues të burgut dhe nëse ka pasur mbështetje logjistike nga bashkëpunëtorë të jashtëm.
Toma, i cili vuante një dënim për grabitje dhe vjedhje që përfundonte në vitin 2041, mbart nofkën “Magjistari i arratisjeve” për shkak të precedentëve të tij të shumtë. Kjo është hera e katërt që ai thyen sigurinë e burgjeve: në vitin 2009 u arratis nga burgu i Ternit; në vitin 2013 realizoi një arratisje të bujshme nga burgu i Parmës së bashku me Valentin Frokajn (i cili më vonë u vra gjatë një grabitjeje); dhe vetëm pak muaj pas kapjes në Belgjikë në të njëjtin vit, u arratis sërish nga burgu i Liezhit.
Aktualisht, policia italiane ka nisur një operacion masiv kërkimi, duke ngritur pika kontrolli në të gjithë zonën dhe duke krehur zonat industriale e fushat përreth, me frikën se “magjistari” mund të jetë larguar tashmë nga perimetri i sigurisë.
