Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA) ka lëshuar një paralajmërim serioz lidhur me sigurinë në centralin bërthamor të Çernobilit. Sipas inspektorëve të OKB-së, mburoja masive mbrojtëse (New Safe Confinement), e projektuar për të izoluar mbetjet radioaktive për 100 vjet, e ka humbur funksionin e saj primar të izolimit pas një sulmi me dron të regjistruar më herët gjatë këtij viti. Sulmi shkaktoi zjarr dhe dëme të konsiderueshme në strukturën e jashtme prej çeliku.
Pavarësisht gravitetit të dëmit, ekspertët bëjnë thirrje për qetësi. Jim Smith, ekspert mjedisi, deklaroi për BBC se “nuk ka arsye për panik”, pasi pluhuri radioaktiv vazhdon të mbahet i bllokuar nga “sarkofagu” i vjetër i betonit që ndodhet nën mburojën e re. Megjithatë, kreu i IAEA-s, Rafael Grossi, theksoi se riparimet janë absolutisht “thelbësore” për të parandaluar degradimin e mëtejshëm të strukturës.
Ky raport vjen në një kohë tensionesh të larta, ndërsa Ukraina akuzon Rusinë për shënjestrimin e qëllimshëm të infrastrukturës bërthamore dhe energjetike. Përveç Çernobilit, inspektorët po monitorojnë edhe nënstacionet elektrike, të cilat janë jetike për ftohjen e reaktorëve në centralet e tjera të vendit, ndërkohë që luftimet dhe sulmet ajrore ruse vazhdojnë të godasin qendra industriale si Kremençuku.
