Berisha përshëndet rezolutën e Uashingtonit dhe sulmon ashpër Ramën si bastard politik që ndërtoi kështjellën e krimit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli sot në një konferencë për media për të komentuar miratimin e një rezolute të re për Shqipërinë nga Bashkimi Demokrat Ndërkombëtar (IDU) në Uashington. Berisha e cilësoi këtë zhvillim si një fitore të rëndësishme ndërkombëtare për opozitën dhe një goditje për qeverinë, të cilën ai e etiketoi sërish si një “narko-shtet” dhe rrezik për sigurinë e rajonit.

Sipas kreut të PD-së, rezoluta u votua në unanimitet të plotë dhe pa asnjë vërejtje nga rreth 80 parti të qendrës së djathtë nga e gjithë bota, përfshirë Partinë Republikane të SHBA-së dhe Unionin Demokristian (CDU) të Gjermanisë. Berisha theksoi se ky është dokumenti i shtatë që nga tetori i vitit 2024, i miratuar nga forume prestigjioze si Partia Popullore Europiane dhe Internacionalja Demokrate e Qendrës, që dënon realitetin dramatik politik në Shqipëri.

Gjuha e përdorur nga Berisha ndaj Kryeministrit ishte tejet e ashpër. Duke hequr paralelizma me regjimin e Enver Hoxhës, ai e quajti Edi Ramën një “bastard politik” i cili, në vend të zhvillimit, ka ndërtuar një “kështjellë të drogës, krimit dhe vjedhjes”. Për liderin demokrat, këto rezoluta janë dëshmi se bota demokratike e ka njohur natyrën autoritare të regjimit aktual dhe po ofron mbështetje të hapur për popullin shqiptar në përpjekjen për rivendosjen e pluralizmit.

Avatar photo
Albin Hoxha
6 December, 13:34 | Përditësimi: 6 December, 13:34