Shqipëria po plaket, fuqia punëtore po tkurret/ Deri në vitin 2050, vetëm 1.4 persona në moshë pune do të mbështesin çdo pensionist

Rënia e ritmeve të shtimit të popullsisë dhe vështirësitë në tregun e punës po ndikojnë ndjeshëm në raportin mes të punësuarve dhe pensionistëve në mbarë botën. Një analizë e re e World Economics, me parashikime deri në vitin 2050, tregon se Shqipëria po përballet me një ngushtim të shpejtë të numrit të personave në moshë pune që mbështesin popullsinë e moshuar.

Aktualisht, në Shqipëri rreth 2.5 persona në moshë pune (15–64 vjeç) mbështesin 1 të moshuar (65+), një rënie prej 0.3 pikësh krahasuar me vitin 2020. Deri në vitin 2030, kjo shifër pritet të ulet në 2.1, ndërsa në vitin 2050 parashikohet të arrijë në vetëm 1.4 punëtorë për çdo pensionist, duke rënduar ndjeshëm barrën ekonomike dhe sociale.

Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria ndodhet aktualisht në pozicion më të favorshëm:

  • Maqedonia e Veriut: 2 punëtorë për 1 pensionist
  • Serbia: 1.9 punëtorë
  • Bosnja dhe Hercegovina: 1.7 punëtorë
    Edhe në këto vende, raporti pritet të përkeqësohet në vitet e ardhshme.

Fenomeni është global dhe prek thuajse të gjitha ekonomitë e zhvilluara. Italia renditet ndër vendet më problematike, ku sot vetëm 1.5 persona në moshë pune mbështesin 1 të moshuar, ndërsa në vitin 2050 pritet që raporti të bjerë në 0.8. Situatë të ngjashme kanë edhe Japonia, Greqia, Kroacia, Portugalia dhe Franca.

Në anën tjetër, vendet e Azisë rezultojnë me raportin më të favorshëm. Emiratet e Bashkuara Arabe kryesojnë me 44.7 persona në moshë pune për çdo pensionist, shifër që në vitin 2050 pritet të jetë ende shumë e lartë — rreth 36.2. Pas tyre renditen Katari me 41 persona dhe Omani me 19.5 persona në moshë pune për çdo të moshuar.

Sipas ekspertëve, ky trend i plakjes së popullsisë do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në sistemet e pensioneve, financat publike dhe fuqinë punëtore, duke e bërë urgjente nevojën për reforma demografike, sociale dhe ekonomike.

Avatar photo
Dallandyshe Hoxha
5 December, 18:34 | Përditësimi: 5 December, 18:34