Pas protestës së zhvilluar tre ditë më parë për zaptimin e tokave në fshatin Boçovë, njësi administrative Levan, 14 familje fermere i janë drejtuar sot Komisariatit të Policisë Fier për të depozituar një kallëzim kolektiv ndaj kompanisë “Bervi Construksion”. Kjo kompani, në pronësi të bashkëshortes së Pëllumb Salillarit, po investon në zonë për ndërtimin e një parku me panele diellore.
Fermerët pretendojnë se prej tre dekadash kanë punuar dhe kultivuar këto toka, të cilat i disponojnë me ligjin 7501 dhe me AMTP të rregullt, ku – sipas tyre – janë të përcaktuara si prona dhe jo thjesht përdorim. Ata shprehen të indinjuar se ndërsa prej 30 vjetësh paguajnë taksat dhe kërkojnë prej institucioneve pajisjen me certifikatë pronësie, mësojnë se një kompani private e ka marrë tashmë certifikatën.
