Detaje rrëqethëse janë zbuluar para ligjvënësve amerikanë lidhur me fushatën ushtarake kundër trafikut të drogës. Admirali Frank Bradley ka pranuar se dy të mbijetuarit e një anijeje të goditur, të cilët po mbaheshin mbi rrënoja për të mbijetuar, u vranë me një sulm të dytë raketor me urdhër të tij, edhe pse nuk kishin asnjë mjet komunikimi me vete.
Kjo dëshmi rrëzon pretendimin e mëparshëm të Pentagonit se viktimat po kërkonin përforcime me radio. Ndërsa demokratët e kanë cilësuar pamjen e vrasjes së dy njerëzve të paarmatosur si krim lufte dhe një nga gjërat më shqetësuese të para ndonjëherë, admirali u justifikua se ekzistonte rreziku teorik që ata të shpëtonin ngarkesën e kokainës. Ngjarja ka thelluar ndarjen politike në SHBA mbi ligjshmërinë e kësaj fushate të përgjakshme.
