Nga prostitucioni në Itali te vrasja në Elbasan: Kush është Marselo Arani, i dyshuari kryesor për ekzekutimin e biznesmenit

Detaje tronditëse kanë dalë në dritë lidhur me ekzekutimin mafioz të biznesmenit Edmond (Mondi) Mëhalla në Elbasan. Policia ka identifikuar si autor të dyshuar 32-vjeçarin Marselo Arani, një emër me precedentë të rëndë penalë, i cili paradoksalisht duhet të ishte nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” për pastrim parash në momentin e krimit.

Profili i Aranit është i njohur për drejtësinë. Në qershor të këtij viti, Prokuroria e Elbasanit i sekuestroi 14 pasuri të paluajtshme, pasi dyshohej se ato buronin nga aktiviteti kriminal. Ai rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë në Itali për shfrytëzim prostitucioni, një aktivitet që duket se i ka shërbyer për të ngritur pasurinë e tij të dyshimtë.

Dinamika e ngjarjes ishte e mirëorganizuar: Autorët ndoqën lëvizjet e Mëhallës dhe e goditën atë sapo hyri në automjetin e tij “Range Rover” pranë karburantit “Xhaxhi Oil”. Tre plumba u shkrepën drejt 43-vjeçarit, dy prej të cilëve fatalë në kokë. Pas krimit, makina e autorëve, një “Audi”, u gjet e shkrumbuar në fshatin Mirakë të Librazhdit, ku brenda saj hetuesit zbuluan edhe armën e krimit, një pistoletë tip Beretta. Viktima gjithashtu ishte një personazh i njohur për policinë, me precedentë të mëparshëm në fushën e narkotikëve.

Avatar photo
Albin Hoxha
2 December, 11:47 | Përditësimi: 2 December, 11:47