Arsimi në Shqipëri hedh një hap të rëndësishëm drejt standardeve europiane përmes një marrëveshjeje të re strategjike me qeverinë franceze. Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro dhe Ambasadorja e Francës, Catherine Suard, kanë zyrtarizuar paktin për fuqizimin e seksioneve dygjuhëshe, duke paralajmëruar edhe krijimin e një institucioni elitë: Liceun Franko-Shqiptar.
Gjatë takimit me mësuesit e gjuhës frënge, Ministrja Kumbaro zbuloi detaje mbi projektin ambicioz të Liceut, i cili pritet të presë nxënësit e parë në shtator të vitit 2027. Ky gjimnaz publik do të ketë një profil të fortë shkencor, ku lëndët ekzakte do të shpjegohen në frëngjisht nga pedagogë francezë, ndërsa lëndët e formimit kombëtar nga ata shqiptarë. Shkolla do të ofrojë kushte moderne, përfshirë konvikte dhe laboratore, duke synuar të jetë një qendër ekselence jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin.
Marrëveshja e nënshkruar fokusohet fillimisht në 5 qytete kryesore: Tiranë, Korçë, Shkodër, Durrës dhe Elbasan (përfshirë shkolla të njohura si “Asim Vokshi” apo “Raqi Qirinxhi”), ku kurrikula zhvillohet deri në 50% në frëngjisht. Ambasadorja Suard e cilësoi këtë nismë si një “urë lidhëse” mes dy kombeve, një vizion i mbështetur nga Presidenti Macron dhe Kryeministri Rama për të evropianizuar arsimin shqiptar.
