Erdhi si piktor, përfundoi hajdut / Shqiptari grabit shtëpinë e ministres belge, e tradhton ADN-ja te kursimet

Një histori që nisi me ëndrran për art dhe punë të ndershme, përfundoi në kronikat e zeza të Belgjikës. Një shtetas shqiptar rrezikon dënimin me burg pasi u identifikua si autori i vjedhjes në banesën e Ministres flamande, Zuhal Demir. Ngjarja e ndodhur në Genk, u zbardh falë një gjurme ADN-je të lënë pakujdesish mbi një kuti kursimesh, nga ku autori kishte marrë shumën modeste prej 50 eurosh.

Në seancën gjyqësore në Tongeren, prokuroria kërkoi 1 vit burg dhe gjobë për shqiptarin, i cili rezulton të jetë një “vizitor” i njohur për drejtësinë europiane, me precedentë të ngjashëm në Gjermani dhe Spanjë. Avokatja e tij mbrojtëse pretendoi se klienti i saj kishte udhëtuar drejt Belgjikës me qëllimin për të punuar si piktor, por dështimi për të gjetur punë dhe shoqëria e keqe e kishin devijuar drejt krimit.

Aktualisht, i akuzuari ndodhet në Shqipëri pasi është dëbuar me ndalim hyrjeje në zonën Schengen. Mbrojtja argumentoi se ai tashmë e ka rregulluar jetën e tij pranë familjes në atdhe dhe se rikthimi i tij në burgun belg nuk do t’i shërbente askujt. Vendimi përfundimtar për “piktorin” që u bë hajdut pritet të jepet më 5 janar.

Avatar photo
Albin Hoxha
2 December, 11:49 | Përditësimi: 2 December, 11:49