Në një lëvizje që shënon një fazë të re tensioni në Hemisferën Perëndimore, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një forcë detare të konsiderueshme në Karaibe, duke e vënë në gjendje alarmi qeverinë e Caracasit. Burimet raportojnë se afër 25% e kapacitetit operativ të flotës luftarake amerikane është vendosur në rajon, në një operacion që administrata e Presidentit Donald Trump e paraqet si pjesë të luftës së palodhur kundër trafikut të drogës.
Forca detare përfshin aeroplanmbajtësin e sulmit USS Gerald R. Ford, të shoqëruar nga anije luftarake të tjera si USS San Antonio dhe shkatërruesit me raketa USS Gravely dhe USS Sampson. Gjithsej, prezenca ushtarake në rajon vlerësohet të përfshijë rreth 15,000 trupa.
Në reagim të menjëhershëm, presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, ka njoftuar mobilizimin e forcave të armatosura dhe të milicisë kombëtare, duke thënë se vendi i tij është i gatshëm të mbrojë sovranitetin e tij. “Le të bashkohemi për paqen e Amerikës. Mjaft me luftëra të pafundme,” deklaroi Maduro në një mesazh të drejtuar opinionit publik amerikan.
Ndërkohë, nga Shtëpia e Bardhë, President Trump ka qëndruar i paqartë në qëndrimin e tij strategjik. Ai ka deklaruar publikisht se “dyshon” në fillimin e një luftë të hapur me Venezuelën, por në të njëjtën kohë ka refuzuar të përjashtojë plotësisht mundësinë e një operacioni të gjerë ushtarak, duke lënë hapësirë për spekulime ndërkombëtare. Situata vazhdon të jetë në zhvillim dhe pritet të ketë reaksione të mëtejshme nga palët e përfshira dhe nga organizatat ndërkombëtare.
