Dy trena u përplasën në Sllovakinë perëndimore mbrëmjen e së dielës, 9 nëntor, duke shkaktuar dhjetëra të plagosur. Ngjarja ndodhi mes qyteteve Svätý Jur dhe Pezinok, rreth 20 kilometra në veri të kryeqytetit Bratislavë, në një segment të njohur për trafikun e dendur hekurudhor.
Sipas autoriteteve, në momentin e aksidentit në dy trenat ndodheshin rreth 800 pasagjerë, por fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk pësoi lëndime të rënda.
Policia Rajonale e Bratislavës, e cila ndërhyri menjëherë bashkë me ekipet e shpëtimit, e cilësoi situatën si “kaotike”. Në një njoftim në Facebook, policia bëri të ditur se oficerët po ndihmonin në evakuimin e pasagjerëve dhe në koordinimin e operacioneve të emergjencës.
Në përplasje u përfshi treni ekspres Tatran, që udhëtonte nga Košice drejt Bratislavës, si dhe një tren ekspres rajonal me origjinë nga Nitra. Autoritetet kanë nisur një hetim për të zbardhur shkaqet e incidentit.
Një zëdhënës i policisë njoftoi se testet për alkool dhe drogë të të dy makinistëve kanë rezultuar negative. Aktualisht, hetuesit po shqyrtojnë të dhënat e regjistruara në bord dhe sinjalet e sistemit të kontrollit për të përcaktuar nëse përplasja ka ardhur si pasojë e një gabimi njerëzor apo e një defekti teknik.
