Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancë plenare, e dyta brenda javës. Seanca e parë u zhvillua të hënën, ku raportuan drejtuesit e institucioneve të drejtësisë dhe u votua për ngritjen e Komisioneve të Posaçme për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale.
Në rendin e ditës së sotme, një nga çështjet kryesore është shqyrtimi i kërkesës së deputetëve të Partisë Demokratike për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Opozita e akuzon atë për shkelje të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit. Seanca për shqyrtimin e kësaj kërkese pritet të nisë në orën 10:00.
Gjatë ditës, Kuvendi do të zhvillojë dy seanca plenare. Në seancën e dytë, e cila parashikohet të nisë në orën 11:30, do të raportojnë për veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2024 drejtuesit e disa institucioneve të rëndësishme: Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Instituti i Statistikave, Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Radiotelevizioni Shqiptar.
Në rend dite është gjithashtu shqyrtimi i dy kërkesave të Partisë Demokratike për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare.
Kërkesa e parë lidhet me ngritjen e Komisionit Hetimor për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal. Kërkesa e dytë ka të bëjë me krijimin e një komisioni hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së pushtetit qendror dhe vendor, si dhe për verifikimin e përdorimit të burimeve shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025.
Në përfundim të seancës, pritet të miratohen edhe projekt-rezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme, Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor.
