Një shtetas shqiptar është ekstraduar sot nga Milano, Itali, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”. Bëhet fjalë për Erind Laskun, i akuzuar për pastrimin e parave të fituara nga trafikimi i drogës nga një grup kriminal me bazë në Durrës.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, operacioni është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë midis specialistëve të Drejtorisë së Interpolit në Shqipëri dhe Interpol Romë.
Gjykata e Krimeve të Rënda kishte caktuar në prill 2025 masën e sigurisë “Arrest në burg” kundër Laskut për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, të kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Ky ekstradim paraqet një hap tjetër në luftën kundër kriminalitetit të organizuar ndërkufitar dhe rrjetëve që pastrojnë paratë e fituara nga trafikimi i drogës.
