SPAK reagon pas lajmeve: “Nuk është në kompetencën tonë nëse Nuredin Dumani ka ngrënë karkaleca deti në qeli”

Një lajm i pazakontë bëri bujw në media ditët e fundit: Nuredin Dumani, i penduar i drejtësisë dhe një nga figurat mw të njohura të operacionit “Plumbi i Artë”, dyshohej se kishte konsumuar karkaleca deti brenda qelisë ku mbahet nën masa të rrepta sigurie.

Sipas raportimeve, ushqimi i detit nuk i kishte bërë mirë dhe Dumani kishte përfunduar në spital për trajtim mjekësor.

Por, pas publikimeve në media, SPAK ka reaguar zyrtarisht, duke sqaruar se çështja nuk hyn në kompetencën e këtij institucioni.

Në përgjigjen publikuar në faqen zyrtare, SPAK thekson:

“Kjo çështje nuk është në kompetencë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Për këtë arsye, ju mund t’i drejtoheni Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Drejtorisë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë për trajtimin e mëtejshëm të kërkesës suaj.”

Me këtë reagim, SPAK heq dorë nga çdo përgjegjësi mbi mënyrën e trajtimit të Dumanit në qeli, duke ia kaluar kompetencën institucioneve që merren me administrimin e burgjeve dhe me mbrojtjen e bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

Nuredin Dumani, i cili ka rrëfyer dhjetëra ngjarje kriminale në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”, vijon të mbahet në kushte të veçanta sigurie, ndërsa dëshmitë e tij kanë shërbyer për arrestimin e dhjetëra personave në Shqipëri dhe Kosovë.

Avatar photo
Dallandyshe Hoxha
24 Tetor, 17:02 | Përditësimi: 24 Tetor, 17:02