Autoritetet britanike kanë arrestuar tre burra në Londër, të dyshuar për bashkëpunim me shërbimet ruse të inteligjencës. Policia Metropolitane njoftoi se ndalimet u kryen të enjten në disa adresa në pjesën perëndimore dhe qendrore të kryeqytetit.
Sipas deklaratës zyrtare, personat e arrestuar janë të moshës ndërmjet 44 dhe 48 vjeç, dhe akuzohen për shkelje të Aktit të Sigurisë Kombëtare të miratuar në vitin 2023, konkretisht për “ndihmën ndaj një shërbimi të huaj të inteligjencës”. Hetimet po vazhdojnë me kontrolle në disa banesa dhe një lokacion tjetër në Londrën perëndimore.
Komandanti Dominic Murphy, drejtues i operacioneve kundër terrorizmit në policinë britanike, paralajmëroi se vendi po përballet me një “rritje të aktiviteteve të ndërmjetësve të rekrutuar nga agjencitë e huaja te spiunazhit”
Vetëm një javë më parë, drejtori i MI5, Ken McCallum, deklaroi se Rusia po përpiqet “të shkaktojë kaos dhe destabilitet” në Mbretërinë e Bashkuar dhe në vendet që mbështesin Ukrainën.
Ai shtoi se autoritetet britanike kanë zbuluar e penguar disa komplotë për survejim dhe akte armiqësore ndaj personave që Moska i konsideron kundërshtarë.
Ndërkohë, Kremlini vazhdon të mohojë çdo përfshirje në operacione të tilla. Arrestimet e reja ndodhin në të njëjtën kohë që gjashtë persona po gjykohen për një zjarrvënie të motivuar politikisht ndaj bizneseve me lidhje ukrainase në Londrën lindore, ngjarje e ndodhur në vitin 2024.
Dylan Earl, i konsideruar organizatori i grupit, ishte i pari që u shpall fajtor sipas dispozitave të reja të Aktit të Sigurisë Kombëtare. Muajin e kaluar, autoritetet arrestuan edhe dy burra dhe një grua në Essex, gjithashtu nën dyshimin se spiunonin për Rusinë.
Në maj, një gjykatë britanike dënoi me mbi 50 vite burg gjashtë shtetas bullgarë, të cilët u shpallën fajtorë për pjesëmarrje në një rrjet spiunazhi të lidhur me Moskën.
