
Në një prezantim të mbajtur në ambientet e Piramidës në Tiranë, u shpalos sot projekti “Identiteti Digjital”, një iniciativë që synon modernizimin e shërbimeve shtetërore dhe përshpejtimin e integrimit evropian.
Kryeministri Edi Rama theksoi se ky sistem do të jetë në dispozicion të qytetarëve që në fillim të vitit 2026, duke e cilësuar atë si një hap historik. “Shqipëria pritet të jetë një hap përpara vendeve të Bashkimit Evropian në këtë drejtim,” deklaroi Rama, duke shtuar se BE synon të implementojë identitetin digjital në 2027.
Sipas kryeministrit, ky mjet do të lehtësojë shërbimet, do të rrisë sigurinë dhe transparencën në transaksione, duke e bërë Shqipërinë lider rajonal në fushën e inovacionit. “Përmes teknologjisë digjitale dhe falë inteligjencës artificiale, vendet mund të kapërcejnë epoka që mund t’i kishin të pamundura,” vazhdoi ai.
Identiteti digjital shënoi një hap tjetër në drejtim të realizimit të planit për kalimin nga paraja në transaksione digjitale, duke ofruar më shumë siguri për konsumatorët dhe transparencë në ekonomi.