
Pas një fillimi të bujshëm me sekuestrime dhe gjoba ndaj përdoruesve të monopatinave, Policia e Shtetit është tërhequr plotësisht nga aksioni që tronditi kryeqytetin për tre ditë me radhë.
Në rrugët e Tiranës, prej ditës së enjte dhe në vijim, nuk është parë më asnjë patrullë policie që të ndalojë drejtuesit e monopatinave apo skuterëve elektrikë. Pikat ku më parë efektivët ndalonin qytetarët janë tashmë bosh, ndërsa qarkullimi me monopatina është rikthyer normalisht, pa frikën e gjobave apo sekuestrimeve.
Aksioni i shumëtrumbetuar, i prezantuar si një masë për rritjen e sigurisë rrugore, u shua po aq shpejt sa nisi, duke ngjallur dyshime se bëhej fjalë për një nismë të nxituar dhe pa plan afatgjatë.
Të vetmit që e kanë pësuar nga ky operacion treditor janë përdoruesit që u kapën në ditët e para të kontrollit, të cilëve u janë sekuestruar monopatinat dhe mjetet ende nuk u janë kthyer.
Burime nga institucionet përkatëse bëjnë me dije se pritet hartimi i një drafti ligjor të ri, që do të konsultohet me publikun përpara miratimit. Ligji parashikon që monopatinat elektrike të mos ndalohen, por të vendosen rregulla të qarkullimit dhe kufizime të shpejtësisë, për të shmangur aksidentet dhe kaosin në rrugë.
Për momentin, Tirana është rikthyer në situatën e mëparshme: monopatinat qarkullojnë lirshëm, ndërsa policia mungon në terren.