Shqipëria e la pa punë, Stojkovic jep mesazhin e lamtumirës nga stoli serb: “Arritëm një rezultat historik”

Pas humbjes 0-1 ndaj Shqipërisë, e cila shënoi fundin e periudhës së tij në stolin e Kombëtares së Serbisë, Dragan Stojkovic ka reaguar për herë të parë publikisht me një mesazh të gjatë dhe emocional, duke dhënë llogari për katër vitet e gjysmë drejtim të ekipit kombëtar.

“Pas katër vitesh e gjysmë, nuk jam më trajner i ekipit kombëtar të Serbisë. Dua të falënderoj Federatën e Futbollit të Serbisë për besimin. Ka qenë një nder dhe privilegj i jashtëzakonshëm të drejtoj ekipin e vendit tim. Ky kapitull ka mësuar shumë dhe do ta kujtoj gjithmonë me respekt dhe emocion”, shkroi Stojkovic në rrjetet sociale.

Trajneri 59-vjeçar theksoi se largimi i tij nuk duhet parë si një dështim, por si një përfundim i natyrshëm i një periudhe të pasur me arritje. Suksesi më i madh, sipas tij, ishte kualifikimi i Serbisë në dy kompeticione madhore radhazi – Botërorin dhe Europianin – për herë të parë pas 24 vitesh, një arritje që ai e konsideron “historike për futbollin serb”.

“Do të kujtoj gjithmonë skenat nga Lisbona, emocionet e çmendura të tifozëve dhe lojtarëve, një nga momentet më të bukura të jetës sime dhe në historinë e futbollit serb”, shkruan ai.

Stojkovic përmendi gjithashtu suksesin në Ligën e Kombeve, ku Serbia arriti të ngjitej në Ligën A dhe të ruante statusin mes skuadrave elitare europiane. Ai vlerësoi kontributin e tij për zhvillimin e talenteve të rinj, duke ofruar mundësi për lojtarë që mund të kishin zgjedhur kombëtare të tjera, dhe përmendi punën e rëndësishme të stafit teknik dhe bashkëpunimin me lojtarët.

Mesazhi i tij përfundon me një reflektim personal dhe mirënjohje: “Jam krenar për gjithçka që kemi arritur dhe jam i sigurt se futbolli serb do të ecë përpara. Largimi im nuk e zvogëlon asnjë nga arritjet tona dhe as pasionin që kemi ndarë së bashku”.

Ky është fundi i një epoke nën drejtimin e Stojkovicit, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kombëtares së Serbisë dhe do të mbahet mend për arritjet e tij dhe mënyrën se si drejtoi ekipin në momente kyçe.

Avatar photo
Arveni Avdulaj
18 Tetor, 12:41 | Përditësimi: 18 Tetor, 12:41