Rruga “Afrim i Ri ,Qenas ,Mbrostar Ferko” në Fier, qytetarët në revoltë: “Një rrezik për këmbësorët, punimet e kanalizimeve e shkatërruan

Rruga që lidh Afrim i Ri, Qenas, Mbrostar Ferko në Fier është në një gjendje tejet të amortizuar, duke u kthyer në një problem serioz për banorët dhe qytetarët që e përdorin për lëvizje të përditshme.

Sipas denoncimeve, punimet e kryera për kanalizimin e ujërave të zeza kanë degraduar rrugën në mënyrë të dukshme: pjesë të saj janë të thepisura, me gropa të mëdha dhe baltë, duke e bërë të pamundur kalimin madje edhe me këmbë. Qytetarët paralajmërojnë se kushdo që tenton të ecë aty rrezikon lëndime serioze: “Nuk mund të kalosh dot, mund të thyesh këmbën çdo moment”, thonë banorët.

Situatën rëndon edhe mungesa e ndriçimit publik, që e bën rrugën të rrezikshme sidomos në orët e mbrëmjes dhe natës. Banorët denoncojnë se investimet për kanalizimet duket se u bënë pa plan konkret për rikonstruksion të rrugës, duke e kthyer atë në një rrezik të madh për sigurinë e tyre.

Qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga bashkia Fier dhe institucionet përgjegjëse, duke theksuar se rruga është një aks i rëndësishëm për komunikimin dhe jetën e përditshme, por tani është kthyer në një pengesë serioze për banorët dhe automjetet.

Ekspertët paralajmërojnë se mosinterventi i menjëhershëm mund të shkaktojë aksidente dhe dëmtime, duke e bërë të qartë se punimet e njëanshme për kanalizimin nuk mund të justifikojnë dështimin total në rikonstruksionin e rrugës

Avatar photo
Arveni Avdulaj
18 Tetor, 13:30 | Përditësimi: 18 Tetor, 13:31