
Aksioneri kryesor i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Tiranës që pezulloi mbajtjen e Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve.
Në një status në rrjetet sociale, Pacolli thekson se pavarësisht vendimit gjyqësor, punimet në aeroport po ecin me ritme të larta dhe projekti do të përfundojë brenda afatit kontraktual, duke e cilësuar veprën si një nga më modernet në rajon.
“Aeroporti i Vlorës po vjen! Investimi më i madh privat në infrastrukturë publike po përfundon në afat dhe po merr formën e një prej aeroporteve më funksionalë e më të bukur në rajon. Falë vizionit dhe kontributit personal të Kryeministrit Rama, veçanërisht në aspektin estetik dhe të dizajnit të brendshëm, kjo vepër po shndërrohet në një ‘boutique aeroport’ – unik në llojin e vet dhe krenari kombëtare,” – shkruan Pacolli.
Reagimi i tij vjen një ditë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë pranoi padinë e Valon Ademit, aksioner në minorancë në projekt, duke vendosur pezullimin e çdo vendimi të planifikuar për Asamblenë e Ortakëve më 20 tetor 2025.
Ndërkohë, përfaqësuesi i kompanisë 2A Group, aksionere në minorancë në koncesionin e aeroportit, ka akuzuar publikisht Pacollin për mashtrim dhe përjashtim të padrejtë nga proceset vendimmarrëse të projektit.
Pavarësisht polemikave ligjore, punimet në terren vijojnë normalisht, ndërsa Aeroporti i Vlorës pritet të jetë gati për funksionim sipas afateve të përcaktuara në kontratë.