
Autoriteti i Konkurrencës mbylli hetimin ndaj katër kompanive më të mëdha të përpunimit të qumështit në vend – Erzeni sh.p.k., Adg sh.p.k. (Lufra), Gjirofarm dhe Shaka Boboshticë – pas dyshimeve për koordinim në çmimin e blerjes nga fermerët. Sipas raportit, nuk u gjetën prova për një marrëveshje të ndaluar ligjërisht, pasi kompanitë operojnë në zona dhe rrjete të ndryshme furnizimi.
Megjithatë, shqetësimi kryesor mbetet disbalanca e madhe mes çmimeve për fermerët dhe çmimeve për konsumatorët. Në vitin 2024, kompania zvogëloi ndjeshëm çmimin e blerjes së qumështit nga fermerët, ndërsa çmimi përfundimtar në treg u rrit ndjeshëm, duke treguar një pabarazi shqetësuese në tregun e qumështit shqiptar.
Raporti zyrtar evidenton gjithashtu rritjen e importit të qumështit pluhur, sidomos nga Erzeni sh.p.k., ndërsa Lufra ndiqte një trend të ngjashëm, por më të ulët. Inspektimet në terren zbuluan raste ku qumështi nuk përmbush standardet minimale higjieno-sanitare, duke ngritur shqetësime serioze mbi cilësinë e produkteve që konsumohen nga shqiptarët.
Problemi lidhet edhe me rritjen e përdorimit të qumështit pluhur, si pasojë e rënies së numrit të lopëve dhe prodhimit të qumështit natyral. Të dhënat e INSTAT tregojnë se numri i lopëve ra nga 342 683 në vitin 2018 në 224 302 në vitin 2024, ndërkohë që prodhimi i qumështit bie nga 964 000 litra në 2014 në 745 000 litra në 2024.
Shqiptarët, për të plotësuar nevojën, po konsumojnë qumësht pluhur të importuar, shpesh nga Kina, që përmban vaj palme dhe përbërës të tjerë të përpunuar, duke zëvendësuar qumështin natyral të lopës. Vetëm gjatë periudhës janar-prill 2025, vendi konsumoi rreth 200 mijë kg qumësht pluhur, kryesisht nga kompanitë Super Milk, Lufra, AD SH-2014, Elka SA, Alta Group, etj.
Ekspertët paralajmërojnë se ky trend reduktimi i qumështit natyral dhe rritja e qumështit pluhur të importuar mund të ketë pasoja të rëndësishme për shëndetin e konsumatorëve dhe për ekonominë e fermerëve shqiptarë, duke e kthyer këtë situatë në një problem të madh kombëtar të ushqimit