Goditën oficerët e BKH-së në Fier, tre persona dërgohen në gjyq për dhunë ndaj punonjësve të shtetit

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasit K.K., L.K. dhe G.K., të akuzuar për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 237/3 dhe 25 të Kodit Penal.

Sipas hetimeve të prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 15 prill 2025 në qytetin e Fierit, ku oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe të Forcës Operacionale kishin shkuar me shërbim për të kryer veprime hetimore.

Gjatë ditës, ndërsa po lëviznin në qytet, oficerët janë ndjekur dhe ndaluar nga tre të pandehurit, të cilët, pavarësisht prezantimit të uniformuar të punonjësve të policisë, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tyre për shkak të detyrës.

Pas ngjarjes, autorët u arrestuan në flagrancë dhe ndaj tyre u caktuan masat e sigurimit “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi”, në varësi të rolit të secilit në ngjarje.

Prokuroria e Fierit thekson se mbetet e angazhuar për të mbrojtur autoritetin e shtetit dhe integritetin e personave që ushtrojnë detyra publike, duke ndjekur penalisht çdo akt që cënon rendin dhe sigurinë ligjore.

Avatar photo
Arveni Avdulaj
18 Tetor, 12:36 | Përditësimi: 18 Tetor, 12:36