
Çështjet e pronësisë e rendisin Shqipërinë të dytën në Europë, pas Portugalisë, për nivelin e lartë të problematikave me titujt e pronës dhe proceset gjyqësore.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore për vitin 2024, vendi ynë ka një indeks prej 0.80 për të drejtën e pronës, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian arrin në 0.93.
Ky tregues mat forcën ligjore dhe sigurinë e sistemit të pronësisë, që nga mbrojtja e pronarëve dhe investitorëve, deri te funksionimi i tregut të pronave dhe qartësia e regjistrave publikë.
Në rastin e Shqipërisë, rezultati tregon se e drejta e pronës mbetet një nga pikat më të brishta të sistemit ligjor e institucional.
Problemet historike me titujt e pronësisë, fragmentimi i regjistrave, proceset e gjata gjyqësore dhe mungesa e transparencës në verifikimin e dokumenteve vijojnë të pengojnë krijimin e një tregu të qëndrueshëm të pronës private.
Edhe pse përpjekjet për digjitalizimin e sistemit kadastral dhe unifikimin e të dhënave përmes Agjencisë Shtetërore të Kadastrës kanë sjellë disa përmirësime, ritmi i reformës mbetet i ngadaltë dhe i pamjaftueshëm.
Në krahasim me fqinjët, Shqipëria qëndron pak më poshtë se Maqedonia e Veriut (0.81) dhe Bosnja e Hercegovina (0.82), ndërsa Serbia (0.88) dhe Mali i Zi (0.90) kanë bërë përparime falë reformave dhe digjitalizimit të regjistrave.
Vendet e BE-së mbeten shumë më përpara: Gjermania (0.97), Islanda (0.96) dhe Spanja (0.95) përfaqësojnë standardin më të lartë të sigurisë ligjore dhe administrimit të pronës, ku çdo transaksion është i gjurmueshëm dhe i garantuar nga sistemi gjyqësor.
Kjo diferencë prej 15–20 pikë përqindje tregon nevojën urgjente për thellimin e reformave ligjore dhe institucionale në fushën e pronësisë në Shqipëri