
Autoritetet spanjolle kanë goditur një organizatë të dyshuar mafioze shqiptaro-kineze, e akuzuar për financimin e trafikut të drogës në Spanjë. Hetimi, i mbështetur në përgjime dhe dekriptime bisedash, zbuloi skemën e funksionimit dhe rrjetin e grumbullimit të parave.
Sipas burimeve vendase, përgjegjës për mbledhjen e të hollave cash — me qëllim furnizimin e grupimeve të trafikut dhe pastrimin më pas të miliona eurove fitime — dyshohet të ketë qenë një çift kinez. Operacioni kishte epiqendrën në një park industrial në Malaga, ndërsa Guardia Civil thotë se rrjeti ishte në gjendje të zhvendoste rreth 50 milionë euro brenda një viti, përmes qarkullimit mall-para dhe anasjelltas.
Hetimi tregon se veprimtaria nisi me mbikëqyrjen e dyshuarve, të cilët vizitonin bizneset e bashkatdhetarëve në Malaga për të grumbulluar çanta me kartëmonedha. Nga transkriptimet e bisedave dekriptuara del edhe urdhri konkret për sigurimin e shumave: “Për nesër na duhen 100 mijë euro”, thuhet në një prej mesazheve.
Rasti vazhdon të hetohet nga autoritetet spanjolle, të cilat po bashkëpunojnë me partnerë ndërkombëtarë për të zbardhur të gjitha lidhjet e mundshme të rrjetit dhe mënyrat e pastrimit të parave.