
Një helikopter u rrëzua të shtunën pasdite pranë plazhit Huntington Beach në Kaliforni, duke lënduar pesë persona, përfshirë një fëmijë. Aksidenti ndodhi kur pilotët humbën kontrollin e mjetit gjatë fluturimit.
Pamjet e kapura nga dëshmitarët tregojnë helikopterin duke u rrotulluar disa herë në ajër përpara se të përplasej në një grup palmash në një zonë të populluar, afër një hoteli. Nga të lënduarit, dy ishin në brendësi të helikopterit, ndërsa tre të tjerë ishin këmbësorë.
Ngjarja shkaktoi panik në mesin të pranishmëve. Sipas autoriteteve, helikopteri ishte pjesë e përgatitjeve për një aktivitet bamirësie që do të zhvillohej të dielën. Shkaku i aksidentit po hetohet nga Agjencia Federale e Aviacionit (FAA) dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë në Transport (NTSB). Të gjithë të lënduarit janë nën kujdes mjekësor.