
Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë vendosur që duke nisur nga dita e nesërme dhe deri në një afat të pacaktuar, përdorimi i monopatinave elektrike të ndalohet në vendin tonë.
Vendimi u prezantua këtë fundjavë nga ministrja Albana Koçiu, e cila tha se kjo masë vjen pas shtimit të incidenteve rrugore ku të përfshira janë këto mjete që gjejnë një përdorim të gjerë në shoqërinë tonë.
Gjithashtu pritet që biznesi i monopatinave me qira të shkrihet, dhe pasi të caktohen rregullat e reja të përdorimit, si masat e mbrojtjes, korsitë e lëvizjes, mosha e lejuar e drejtimit dhe shpejtësia, monopatinat do të lejohen vetëm për përdorim vetjak.
“Sot i kam kërkuar Policisë së Shtetit që përkohësisht të mos lejojnë qarkullimin e monopatinave elektrike në rrugë. Gjithashtu dua të informoj të gjithë ata që e shohin monopatinën elektrike si mënyrën biznesi për dhënien me qira ditore, duhet ta kenë të qartë që të mos investojnë në këtë aktivitet. Lejimi gjithmonë pas përfundimit të këtij procesi do të jetë i vlefshëm vetëm për përdorim vetjak të këtyre mjeteve,” tha Koçiu.
Vlen të përmendet se monopatinat elektrike janë ndër mjetet më të përdorura, sidomos nga qytetarët në Tiranë, të cilët gjejnë shpëtim nga trafiku i rënduar që ka çdo ditë kryeqyteti. Aktualisht këto mjete mund të përdoren nga kushdo, dhe pavarësisht zotimeve të mëparshme të Policisë së Shtetit për ndëshkim të shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, situata nuk është përmirësuar.
Duke nisur nga nesër, 13 tetor 2025, për të gjithë monopatinat që do të shikohen në rrugë Policia ka deklaruar se do të nisë sekuestrimet.
Vendimi vjen në një kohë kur Tirana pritet t’i nënshtrohet zgjedhjeve të pjesshme për kryetarin e ri të bashkisë, çka le vënd për interpretim të këtij ndryshimi, nëse ka vërtetë qëllim të mbrojë jetën e përdoruesve të rrugës, apo është një lëvizje në kuadër të fushatës zgjedhore.
Kujtojmë se me ardhjen e saj në krye të ministrisë së brendshme, Albana Koçiu shkarkoi zëvendësin e saj Andi Mahila, pasi u fotografua duke pirë cigare në një restorant. Ajo e cilësoi pirjen e cigares si shkelje të pajustifikueshme të ligjit. Andi Mahila mbante postin e zv.ministrit të Brendshëm që prej janarit 2021.