Kombëtarja shqiptare ka nisur zyrtarisht udhëtimin për ndeshjen e rrezikshme kundër Serbisë në Kualifikimet për Botërorin 2026. Nga aeroporti “Nënë Tereza” në Rinas, ekipi u nis me një fluturim charter për Nish, me qëllim që të shtunen në mbrëmje të përballen me kundërshtarin në stadiumin “Duboçica” në Leskovac.
Pas mbërritjes në aeroportin “Konstantin i Madh”, skuadra dhe delegacioni shqiptar u akomoduan në hotel, ku do të pushojnë para stërvitjes zyrtare të pasdites. Në orën 16:30, trajneri Sylvinho dhe kapiteni ekipit do të japin konferencën e para ndeshjes para mediave, ndërsa në orën 17:30, kuqezinjtë do të përgatiten në fushën e “Duboçicës”.
Masat e sigurisë janë të jashtëzakonshme. Që nga mbërritja, skuadra shoqërohet nga forca të mëdha policie, dhe gjatë gjithë qëndrimit në Serbi do të jetë nën mbikëqyrje të rreptë. FIFA e ka klasifikuar ndeshjen si “të rrezikshme”, duke dërguar dy oficerë sigurie ndërkombëtarë për të monitoruar situatën. Federata Serbe e Futbollit nuk ka shituar bileta në shitje publike: 6.500 spektatorët në stadium do të jenë vetëm me ftesa.
Në aspektin sportiv, Shqipëria arrin në këtë ndeshje me moral të lartë, duke mbajtur vendin e dytë në grup me 8 pikë. Serbia ndjek pas me 7 pikë, duke e bërë këtë sfidë vendimtare për të dyja skuadrat.
Tani, kuqezinjtë synojnë të shkruajnë një faqe të re krenarie në Leskovac, ku emocionet dhe historia shtrihen përtej fushës së lojës.
