
Tre ditë para ndeshjes së rëndësishme Shqipëri–Serbi, figura ikonike e futbollit shqiptar, Ismail (Ballist) Morina, ka drejtuar një mesazh të fuqishëm për lojtarët e kombëtares. Njeriu që në vitin 2014 ngriti flamurin shqiptar mbi stadiumin e Beogradit, i thirr sot futbollistët të mos bëhen “pjesë e një maskarade të paracaktuar”.
Në një shprehje publike, Morina iu drejtua kapitenit Berat Gjimshiti dhe ekipit, duke theksuar se “mbajnë mbi supe një fanellë që nuk është çdo e tjetër”. Ai shprehu shqetësime se ndeshja e së shtunës mund të kontrollohet nga “aktorë të huaj” që ndikojnë në rezultate.
Duke kujtuar ndeshjen e vitit 2015, Morina e përshkroi atë si “një lojë të vendosur paraprakisht”, duke shtuar se edhe këtë herë “dordolecët ndërkombëtarë” po përcaktojnë jo vetëm rezultatin, por edhe mënyrën e zhvillimit të lojës.
Mesazhi i tij i drejtuar lojtarëve ishte i qartë: “Mos u bëni pjesë e kësaj poshtërsie. Në dorën tuaj është të ruani integritetin si njerëz dhe profesionistë, ose ta shisni shpirtin”.
Kujtimi i ngjarjeve të vitit 2014, kur droni me flamurin kombëtar çoi në ndërprerjen e ndeshjes në Beograd dhe më pas në fitimin historik të kualifikimit për EURO 2016, vazhdon të jetë një simbol i rezistencës për tifozët shqiptarë.