DVP Vlorë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Night”, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të goditjeve së veprimtarisë kriminale të shitjes së drogave të forta.
Vihet në pranga 35-vjeçari, që shiste kokainë dhe kanabis në zonën e Himarës.
Sekuestrohen 91 doza kokaine dhe 9 doza kanabisi gati për shitje.
Në vijim të kontrolleve për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së drogave të forta, falë administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Night”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë, në Himarë, shtetasi A. H., 35 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit fizik dhe të automjetit që ky shtetas drejtonte, Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale:
• sasi me lëndë narkotike kokainë në 91 doza.
• sasi me lëndë narkotike kanabis në 9 doza.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, pasi siguronte sasinë e lëndëve narkotike, e ndante atë në doza me qëllim shitjen.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.
