
Administrata amerikane ka shpallur një politikë të re për vizat e punës H-1B, duke vendosur një tarifë të majme prej 100 mijë dollarësh në vit për aplikimet. Ky vendim pritet të ketë ndikim të madh tek mijëra profesionistë të huaj, veçanërisht në sektorin e teknologjisë dhe shërbimeve.
Viza H-1B ka qenë prej kohësh një nga rrugët kryesore për punonjësit e kualifikuar nga vende të ndryshme, kryesisht nga India dhe Kina, për të punuar në kompanitë amerikane të teknologjisë, shëndetësisë dhe inxhinierisë. Por tarifa e re e konsideruar “shumë e lartë” mund të kufizojë ndjeshëm numrin e aplikantëve.
Kritikët e masës e shohin atë si një hap proteksionist, i cili synon të reduktojë konkurrencën nga talentet e huaja dhe të forcojë tregun e brendshëm të punës. Nga ana tjetër, mbështetësit pretendojnë se ky vendim do të rrisë të ardhurat dhe do të nxisë punësimin për qytetarët amerikanë.
Vendimi ka shkaktuar reagime të forta edhe jashtë SHBA, pasi shumë kompani ndërkombëtare që kanë degë në Amerikë mbështeten te profesionistët e huaj për zhvillimin e projekteve të tyre. Ekspertët paralajmërojnë se kjo masë mund të dobësojë aftësinë e SHBA për të mbajtur rolin kryesor në inovacionin global.