
Prokuroria e Durrësit ka urdhëruar ndërmarrjen e një aksioni të madh kundër pasurive të përfituara nga veprimtaria kriminale, duke vendosur nën sekuestro një numër të konsiderueshëm pronash që i përkasin shtetasit Arban Lamka.
Në kuadër të procedimit pasuror nr.01, të vitit 2025, hetimet kanë zbuluar se A.Lamka është përfshirë në aktivitet të paligjshëm në fushën e narkotikëve, nga i cili dyshohet se ka gjeneruar të ardhura të pajustifikuara, të cilat më pas janë investuar në pasuri të paluajtshme dhe automjete luksoze.
Pasuritë e sekuestruara përfshijnë:
33 apartamente, të shpërndara në një kompleks banimi në lagjen nr.13, Plazh, Durrës, ndërtuar sipas vendimit nr.1, datë 12.03.2008, në zonën kadastrale 8518, me një sipërfaqe ndërtimi prej 800m².
9 njësi tregtare, përfshirë:
Një tarracë me sipërfaqe 400 m² në katin e sipërm të pallatit.
Katër dyqane në katin e parë, secili me sipërfaqe 70 m² (në total 280 m²).
Katër garazhe, gjithashtu me sipërfaqe 70 m² secili (në total 280 m²).
15 automjete, për të cilat po ashtu dyshohet se janë blerë me të ardhura të gjeneruara nga aktiviteti kriminal.
Sipas Prokurorisë, pasuritë në fjalë nuk justifikohen nga të ardhura të ligjshme dhe dyshimet janë të forta se ato janë blerë përmes parave të përfituara nga trafiku i narkotikëve.
Hetimet vijojnë për të zbardhur në detaje burimin e të ardhurave dhe për të identifikuar bashkëpunëtorë apo persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet kriminal.
Prokuroria ka njoftuar se do të vijojë me hetimet pasurore në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese, me qëllim identifikimin dhe konfiskimin përfundimtar të pasurive të dyshuara të paligjshme.