Fier, dy ditë me trashëgiminë arumune: kulinaria, artizanati dhe kultura në një tryezë të përbashkët

Në datat 13 dhe 14 shtator 2025, në mjediset mikpritëse të Kompleksit “Apollon” në qytetin e Fierit, u mbajt një veprimtari dyditore e dedikuar promovimit të trashëgimisë kulturore të pakicave kombëtare në Shqipëri, me fokus të veçantë te komuniteti arumun.

Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit “Trashëgimia dhe kultura arumune, së bashku dhe në një tryezë”, një nismë e mbështetur nga Komiteti për Pakicat Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, pjesë e Thirrjes së Dytë për vitin 2025 me moton “Diversiteti na bashkon: Ruajmë traditat dhe zakonet, ndërtojmë të ardhmen.”

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë anëtarë të komunitetit arumun në Fier, qytetarë të shumtë dhe dashamirës të kulturës. Të pranishëm ishin gjithashtu edhe përfaqësues institucionalë, mes tyre z. Margit Jica, anëtar i pakicës kombëtare arumune në Komitetin për Pakicat Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, i cili vlerësoi nismën si një hap të rëndësishëm për ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor të komunitetit.

Veprimtaria vijoi edhe të dielën, më 14 shtator, ku vizitorët patën mundësinë të afrohen me traditat e pasura të kuzhinës arumune. Tryezat e shtruara me produkte autentike – djathë, gjalpë, bylmet, mish qengji i rritur në kushtet e shtëpisë dhe brumëra të përgatitur sipas recetave të trashëguara brez pas brezi – ofruan jo vetëm një udhëtim kulinar, por edhe një përvojë kulturore unike. Rrëfenjat e përcjella nga përfaqësues të komunitetit e bënë përjetimin edhe më domethënës, duke shpalosur historinë dhe shpirtin e kësaj pakice.

Ky aktivitet në Fier u shndërrua në një festë të diversitetit kulturor, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së traditave dhe zakoneve që pasurojnë identitetin kombëtar dhe kontribuojnë në forcimin e bashkëjetesës e të ardhmes së përbashkët.

Avatar photo
Dallandyshe Hoxha
16 Shtator, 12:56 | Përditësimi: 16 Shtator, 13:50