
Një ngjarje e pazakontë është regjistruar mbrëmjen e kësaj të diele në qytetin turistik të Ksamilit. Një automjet i parkuar, me targa rumune, ka marrë flakë duke shkaktuar panik te banorët dhe pushuesit e zonës.
Zjarrfikësja ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punon për të neutralizuar zjarrin, i cili ka përfshirë makinën brenda pak minutash. Për momentin, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa flakët janë izoluar për të mos u përhapur në zonën përreth.
Shkaqet e incidentit mbeten ende të paqarta. Nuk dihet nëse zjarri ka ardhur si pasojë e një defekti teknik, ndonjë ndërhyrjeje të qëllimshme apo një faktori tjetër të rastësishëm.
Identiteti i pronarit të mjetit nuk është bërë ende i ditur nga autoritetet. Policia dhe shërbimet zjarrfikëse po hetojnë për të përcaktuar me saktësi rrethanat e ngjarjes.
Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e banorëve të zonës, ndërsa pritet që më shumë detaje të bëhen publike në orët në vijim.