
Më shumë se 100,000 persona janë mbledhur këtë të shtunë në qendër të Londrës për të marrë pjesë në marshimin “Unite the Kingdom”, i organizuar nga aktivisti i ekstremit të djathtë, Tommy Robinson. Ngjarja ka ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë publike, ndërsa në një tjetër pjesë të qytetit po zhvillohet një kundër-protestë e organizuar nga lëvizja Stand Up To Racism, me moton “March Against Fascism”.
Protestuesit e marshimit kryesor janë mbledhur në zonën e Whitehall, ku po mbahen fjalime nga figura të njohura të së djathtës ekstreme, përfshirë Steve Bannon, ish-strateg i fushatës presidenciale të Donald Trump.
Policia Metropolitane ka konfirmuar se disa efektivë janë sulmuar me sende të forta nga protestues të marshimit “Unite the Kingdom”, duke detyruar forcat e rendit të përdorin forcë për të ruajtur kordonët e sigurisë. Në terren janë dislokuar mbi 1,500 efektivë, përfshirë 500 oficerë të sjellë nga rajone të tjera si Leicestershire, Nottinghamshire dhe Devon & Cornwall.
Autoritetet kanë ngritur barriera të shumta për të krijuar një zonë të izoluar mes dy grupimeve protestuese, në përpjekje për të shmangur përplasje direkte.