Rama takohet me Zegjine Çaushin, përqafime e festë në PS pas zgjedhjes së Niko Peleshit kryetar të Kuvendit

Pas zgjedhjes së Niko Peleshit në krye të Kuvendit të Shqipërisë, atmosfera në radhët e socialistëve u shënua nga festë dhe përqafime. Deputetët e Partisë Socialiste e mirëpritën me duartrokitje vendimin, ndërsa momentet e gëzimit u pasqyruan qartë në sallën plenare.

Kryeministri Edi Rama u pa duke përshëndetur e takuar një nga një deputetët e tij. Një moment i veçantë ishte shtrëngimi i duarve me Zegjine Çaushin, deputeten e re nga Fieri, gjest që u shoqërua me buzëqeshje dhe urime. Rama përshëndeti gjithashtu edhe deputetin Andis Salla, ndërsa me nënkryetaren e Kuvendit, Klodiana Spahiu, u shfaq i përzemërt teksa i uroi detyrën e re.

Zv/kryeministrja Belinda Balluku, e ulur pranë Ramës, u përfshi gjithashtu në atmosferën miqësore, teksa kreu i qeverisë i hodhi dorën mbi krah gjatë bisedës me Blendi Klosin.

Ndërkohë, deputetja e re Sara Mile u shfaq e buzëqeshur dhe entuziaste në nisjen e mandatit të saj të parë parlamentar, duke reflektuar frymën pozitive të grupit socialist.

Fotot e publikuara nga seanca tregojnë duarshtrëngime, puthje dhe përqafime mes socialistëve, që shënuan këtë moment të rëndësishëm për shumicën qeverisëse.

Avatar photo
Arveni Avdulaj
13 Shtator, 08:24 | Përditësimi: 13 Shtator, 08:24