
Kriza e sigurisë në kufirin lindor të Europës ka hyrë në një fazë të re tensioni. Polonia ka vendosur 40 mijë trupa ushtarakë në kufirin me Rusinë dhe Bjellorusinë, si përgjigje ndaj stërvitjeve të përbashkëta ushtarake ruse-bjelloruse “Zapad”, të cilat janë konsideruar një kërcënim direkt për rajonin.
Autoritetet polake kanë paralajmëruar se një nga objektivat kryesore të këtyre stërvitjeve është simulimi i një sulmi në “korridorin Suwalki” – një rrip i ngushtë toke që lidh Poloninë me Lituaninë, por që shtrihet mes Bjellorusisë dhe enklavës ruse të Kaliningradit. Ky territor është thelbësor për sigurinë e NATO-s, pasi lidh vendet baltike me pjesën tjetër të aleancës.
Në të njëjtën kohë, presidenti francez Emmanuel Macron ka urdhëruar dërgimin e avionëve luftarakë francezë në mbështetje të Polonisë, duke theksuar se çdo kërcënim ndaj sigurisë së një vendi të NATO-s është kërcënim për të gjithë aleancën.
Situata ka detyruar Varshavën të kufizojë trafikun ajror në zonat pranë kufirit, për shkak të hyrjes së përsëritur të dronëve rusë në hapësirën ajrore polake. Autoritetet vendase po e konsiderojnë këtë si një provokim të qëllimshëm që rrit rrezikun e përshkallëzimit ushtarak.
Liderët polakë kanë bërë thirrje për solidaritet të plotë të NATO-s dhe kanë paralajmëruar Moskën se çdo agresion do të marrë përgjigje të menjëhershme