Niko Peleshi zgjidhet kryetar i Kuvendit me 84 vota pro, PD bojkot dhe pankarta në kutinë e votimit

Deputeti i Partisë Socialiste, Niko Peleshi, është zgjedhur kryetar i ri i Kuvendit të Shqipërisë me shumicë votash. Në seancën plenare morën pjesë 87 deputetë, nga të cilët 84 votuan pro kandidaturës së tij, ndërsa 3 u shprehën kundër.

Procesi u shoqërua me tensione dhe bojkot nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, i cili nuk mori pjesë në votim. Deputetët demokratë futën në kutinë e fshehtë pankarta në vend të fletëve të votimit, duke shprehur kështu kundërshtimin e tyre politik.

Ndërkohë, deputetja Mesila Doda ishte e pranishme në sallë, por zgjodhi të mos votojë. I vetmi demokrat që e mori fletën e votimit dhe iu drejtua kutisë ishte Tritan Shehu.

Në votim morën pjesë edhe deputetët e partive të reja parlamentare. Deputetja Ana Dajko nga “Shqipëria Bëhet” dhe deputeti Redi Muçi nga “Lëvizja Bashkë” u rreshtuan në krah të shumicës socialiste, duke votuar për Peleshin.

Nga ana tjetër, deputetët e partisë “Mundësia”, Agron Shehaj dhe Erald Kapri, nuk morën pjesë në proces.

Me këtë rezultat, Niko Peleshi merr drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë, duke zëvendësuar në këtë detyrë paraardhësin e tij dhe duke shënuar një moment të rëndësishëm në jetën parlamentare të vendit.

Avatar photo
Arveni Avdulaj
13 Shtator, 08:27 | Përditësimi: 13 Shtator, 08:27