Polonia mbyll kufirin dhe dislokon 40 mijë trupa pas shkeljes së hapësirës ajrore nga dronët rusë

Polonia ka shpallur masa të jashtëzakonshme sigurie, duke mbyllur kufirin me Bjellorusinë dhe dislokuar 40 mijë trupa përgjatë vijës kufitare me Bjellorusinë dhe Rusinë. Vendimi erdhi pas një sulmi të papritur me rreth 20 dronë rusë, të cilët natën e kaluar shkelën hapësirën ajrore polake.

Sipas autoriteteve të mbrojtjes, disa prej dronëve u rrëzuan nga avionë luftarakë polakë dhe holandezë, pjesë e patrullimeve ajrore të NATO-s. Ky incident ndodhi në prag të stërvitjes së madhe të përbashkët ruso-bjelloruse “Zapad-2025”, e cila ka ngritur alarmet në Varshavë dhe kryeqytetet e tjera të Evropës Lindore.

Fillimisht, kufiri ishte parashikuar të qëndronte i mbyllur vetëm për periudhën e stërvitjes, por qeveria polake deklaroi se pas shkeljes së hapësirës ajrore, kufijtë do të mbeten të bllokuar “deri në njoftim të mëtejshëm”.

Burime ushtarake paralajmërojnë se gjatë “Zapad-2025” Moska dhe Minsku mund të testojnë skenarë agresivë, përfshirë një sulm hipotetik në Grykën e Suwalkit – korridori strategjik që lidh Poloninë me Lituaninë dhe që shihet si pika më e brishtë e mbrojtjes së NATO-s.

Zyrtarë të lartë polakë dhe ukrainas paralajmërojnë se stërvitjet mund të shërbejnë si mbulesë për një operacion real ushtarak, duke rritur frikën për një përshkallëzim të ri të konfliktit në rajon.

Ky zhvillim vjen në një moment tensioni të skajshëm mes NATO-s dhe Rusisë, ku çdo incident në kufirin lindor të Aleancës shihet si një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë evropiane

Avatar photo
Arveni Avdulaj
12 Shtator, 07:52 | Përditësimi: 12 Shtator, 07:52