Prej disa muajsh, gazetarë, autorë dhe moderatorë të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) denoncojnë vonesa të gjata në marrjen e pagave dhe mungesë transparence nga menaxhmenti. Burime të ndryshme konfirmuan për BIRN se ky problem është i përhapur dhe ka prekur një numër të madh kontribuuesish në transmetuesin publik.
Drejtoresha e përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, e cila mori detyrën më 9 prill, e pranoi hapur ekzistencën e një “situate katastrofike borxhesh dhe detyrimesh”, duke theksuar se stafi i ri drejtues është përballur me një trashëgimi financiare jashtëzakonisht të rëndë.
“Falënderoj të gjithë gazetarët, autorët dhe moderatorët e projekteve të mars-qershorit 2025 për mirëkuptimin lidhur me vonesat në pagesat e RTSH-së. Sigurisht, nuk është përgjegjësia e tyre që iu premtuan projekte që nuk mund të paguheshin, por kjo nuk e bën menaxhmentin e ri përgjegjës, i cili është përballur me një situatë katastrofike borxhesh dhe detyrimesh dhe po përpiqet të bëjë më të mirën për ta menaxhuar atë,” tha Vasili.
Ajo shtoi se aktualisht është duke u zbatuar një plan prioritizimi të pagesave, duke u dhënë përparësi detyrimeve ndërkombëtare, përfshirë edhe ato ndaj Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU), lidhur me pjesëmarrjen e Shqipërisë në Festivalin e Eurovizionit.
Situata e rënduar financiare ka shkaktuar pakënaqësi të madhe mes stafit, ndërsa opinioni publik ngre pyetje mbi menaxhimin e fondeve të transmetuesit publik ndër vite. RTSH ndodhet sot përballë një prej krizave më të mëdha ekonomike të historisë së tij, me pasoja të drejtpërdrejta në funksionimin e programeve dhe projektet e ardhshme.
