Tatimet kapin biznes në Shëngjin: 1 milion euro të padeklaruara dhe mall pa faturë

Administrata Tatimore ka goditur një subjekt tregtar në Shëngjin, ku gjatë një kontrolli të befasishëm u zbuluan shkelje të rënda ligjore. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në 8 muaj ky biznes kishte fshehur 1 milion euro të padeklaruara, duke shmangur detyrimet tatimore ndaj shtetit.

Hetimet kanë nxjerrë në pah se subjekti operonte me punonjës të padeklaruar, mbante mall pa faturë dhe nuk lëshonte kuponë tatimorë për transaksionet e kryera. Po ashtu, u evidentua edhe mungesa e autofaturave, duke dëshmuar një zinxhir shkeljesh të qëllimshme për të shmangur detyrimet ligjore.

Tatimet theksojnë se ky aksion është pjesë e një plani më të gjerë për të luftuar evazionin fiskal, i cili dëmton konkurrencën e ndershme dhe buxhetin e shtetit. “Asnjë biznes nuk është mbi ligjin. Kushdo që tenton të shmangë tatimet, do të përballet me pasojat e ligjit”, thuhet në njoftimin e Administratës Tatimore.

Ndërkohë, kontrollet do të vijojnë në gjithë territorin e vendit. Autoritetet i bëjnë thirrje bizneseve të vetëdeklarojnë dhe të përmbushin detyrimet e tyre fiskale, duke paralajmëruar se fushata nuk do të ndalet derisa të vendoset rendi dhe transparenca në treg.

Ky rast në Shëngjin është një nga shembujt tipikë të evazionit fiskal, i cili jo vetëm që i heq shtetit miliona euro të ardhura, por edhe vendos në pabarazi bizneset e rregullta që kontribuojnë sipas ligjit

Avatar photo
Arveni Avdulaj
8 Shtator, 08:24 | Përditësimi: 8 Shtator, 08:24