Kriza e pensioneve: inflacioni “gllabëron” rritjet, ekspertët kërkojnë indeksim real, rritje pagese dhe bonuse për të moshuarit

Pensionistët shqiptarë po përballen me një situatë gjithnjë e më të vështirë ekonomike, ku inflacioni ka zhdukur çdo rritje të bërë nga qeveria vitet e fundit. Eksperti i pensioneve, Kujtim Hoxha, paralajmëron se të moshuarit po varfërohen dita-ditës dhe kërkon ndërhyrje urgjente për të siguruar dinjitetin e tyre.

Eksperti: nevojitet rritje reale dhe bonuse

Sipas Hoxhës, indeksimi formal i pensioneve një herë në vit nuk mjafton. Ai kërkon një rritje reale, bonuse të veçanta dhe përshtatje të skemës sipas inflacionit aktual. “Shqipëria nuk mund të hyjë në BE pa garantuar standarde minimale jetese për qytetarët më të ndjeshëm. Pensionistët nuk kanë nevojë për premtime boshe, por për respekt dhe dinjitet”, u shpreh ai.

Kosto në rritje për skemën e pensioneve

Nga ana tjetër, Instituti i Sigurimeve Shoqërore parashikon që fatura e pensioneve për vitin 2026 do të arrijë mbi 2 miliardë euro, ndërsa deri në vitin 2028 kjo shumë pritet të shkojë në 2.2 miliardë euro. Vetëm vitin e ardhshëm, shpenzimet do të rriten me 117 milionë euro krahasuar me këtë vit.

Deficiti i skemës mbulohet nga buxheti i shtetit

Për shkak të të ardhurave të pamjaftueshme nga kontributet, skema e pensioneve mbetet në deficit. Për vitin 2026, buxheti i shtetit do të mbulojë 514 milionë euro, ndërsa deri në vitin 2028 ky financim pritet të arrijë në 601 milionë euro. Aktualisht, për të paguar pensionet e 100 qytetarëve, kontribuojnë 117 punonjës aktivë.

Ekspertët theksojnë se, pa një reformë të thellë dhe rritje të menjëhershme të pensioneve, të moshuarit do të vazhdojnë të mbeten viktima të krizës ekonomike

Avatar photo
Arveni Avdulaj
8 Shtator, 08:20 | Përditësimi: 8 Shtator, 08:20