Aksident në Barcelonë, përmbyset autobusi me 53 pasagjerë – 10 të plagosur, dy në gjendje të rëndë

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Santa Susanna, rreth 53 kilometra në verilindje të Barcelonës, ku një autobus me 53 pasagjerë është përmbysur në autostradën C-32.

Sipas të dhënave nga Sistemi i Emergjencave Mjekësore të Katalonjës (SEM), nga aksidenti kanë mbetur të plagosur të paktën 10 persona, mes tyre dy në gjendje të rëndë.

Në vendngjarje ndërhynë tetë ambulanca, dy helikopterë dhe ekipe zjarrfikësish. Pasagjerët e lënduar janë transportuar në spitalet më të afërta, ndërsa të tjerët janë strehuar përkohësisht në një qendër sportive në Pineda de Mar, ku po marrin edhe mbështetje psikologjike.

Pamjet e publikuara nga zjarrfikësit tregojnë autobusin e përmbysur, ndërsa ekipet e shpëtimit punojnë për pastrimin e zonës. Autoritetet lokale njoftuan se shumica e pasagjerëve kanë arritur të dalin vetë nga autobusi dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes duke u ngjitur në një kodër pranë rrugës.

Autostrada C-32 u mbyll përkohësisht për shkak të ndërhyrjes së emergjencës, por njëra korsi është rihapur për qarkullim. Kompania e transportit ka dërguar një tjetër autobus për të marrë pasagjerët që nuk kanë pësuar lëndime.

Avatar photo
Arveni Avdulaj
8 Shtator, 08:03 | Përditësimi: 8 Shtator, 08:03