Arrestohet në Kolumbi “KIMISTI” i laboratorit të kokainës në Frakull të Fierit

Autoritetet policore në Kolumbi kanë arrestuar shtetasin kolumbian Samir Rosales Rodriguez, i njohur si “kimisti”, i cili ishte pjesë e grupit që transportonte dhe përpunonte kokainë në banesën e ish-kreut të Komunës në Frakull të Fierit, Viktor Çervanakut.

Lajmi është bërë me dije nga Policia e Kolumbisë, e cila koordinoi veprimet së bashku me zyrat kombëtare të Interpolit në Kolumbi, Ekuador dhe Shqipëri.

Arrestimi, i kryer pas një njoftimi të kuq të Interpolit, nxjerr në pah shtrirjen transnacionale të operacioneve kriminale të lidhura me Kartelin e Ballkanit, shkruan media Info Bae.

Sipas informacionit të dhënë nga drejtori i Policisë Kombëtare në llogarinë e tij në X, Rosales, me kombësi kolumbiane, ishte i specializuar në drejtimin e punëve teknike për nxjerrjen e kokainës në Evropë, duke përdorur metoda të destinuara për të fshehur substancën mes produkteve të ndryshme.

Kujtojmë se grupi kriminal i laboratorit të kokainës në Frakull akuzohet për trafikimin e 485 kg lënde narkotike të fshehur në plehun kimik.

Në këtë grup kriminal ishte i përfshirë ish-kreu i komunës Frakull, Viktor Çervanaku (deri në 2021 i punësuar si drejtor pranë OST) si dhe familjarët, si i biri, i vëllai dhe e dashura e djalit të tij.

Laboratori i drogës u zbulua në nëntor të vitit 2022 gjatë një operacioni ku morën pjesë DEA, SPAK dhe policia malazeze. Operacioni çoi në zbulimin e rreth 430 kg kokainë, të fshehur në 20 paleta me 24 ton pleh artificial, që janë porositur në Kolumbi nga Zenel Çervanaku dhe kanë zbarkuar fillimisht në portin e Tivarit, në Mal të Zi.

Droga u pikas fillimisht nga autoritetet malazeze me sinjalizim të DEA-s amerikane ndërsa për ekstraktimin e lëndës narkotike grupi kriminal kishte kontraktuar 2 kimist kolumbian.

Lidhur me rastin në fjalë, Gjykata e Posaçme ka dënuar 10 persona, teksa SPAK ka veçuar edhe një fraksion tjetër hetimor për persona të tjerë të paidentifikuar që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në trafikun e kokainës nga Kolumbia mes tyre edhe një individ i thirrur me nofkën “Mirditori”.

Avatar photo
Dallandyshe Hoxha
4 Shtator, 11:58 | Përditësimi: 4 Shtator, 11:58