Vota e diasporës, KQZ mban peng DHL-në, asnjë lek s’ka paguar ende për zgjedhjet: Po verifikojmë akoma

Kur kane kaluar me shume se 3 muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka kryer asnjë pagesë për kompaninë postare që transportoi fletët e votimit në rreth 80 vende të botës.

DHL i ka kërkuar me 1 shtator, për të disatën herë KQZ-së shlyerjen e detyrimeve prej mbi 863 milionë lekësh ose rreth 9 milionë eurosh.

Në shkresën e dërguar DHL thekson se vlera totale e detyrimit sipas kontratës së shërbimit arrin në 863,906,699 lekë, ndërsa vonesat në shlyerje mund të sjellin edhe kamatëvonesa prej mbi 26 milionë lekësh te reja nëse pagesa nuk kryhet deri më 30 shtator 2025.

Kompania rikujton se kontrata e nënshkruar me KQZ-në parashikon që pagesat të kryhen brenda 30 ditëve nga dorëzimi i faturave të fiskalizuara dhe paralajmëron se vonesa të tjera mund të cenojnë buxhetin dhe funksionimin normal të shërbimeve.

Megjithatë, DHL shpreh gatishmërinë për të hequr dorë nga kamatëvonesat që shkojnë deri ne 260 milionë lekë, nëse KQZ kryen pagesën e principalit brenda datës 15 shtator

Ndërkohë, KQZ nuk ka kryer ende pagesat pasi raporti i zbatimit të kontratës nuk është finalizuar ende, për të parë nëse posta DHL ka kryer të gjitha detyrimet sipas kontratës.

Reagimi i KQZ: “Ju informojmë se, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka disbursuar ende asnjë pagesë ndaj kontraktorit. Gjithashtu, raporti i zbatimit të kontratës nuk është finalizuar për shkak të vëllimit të madh të të dhënave që kërkojnë përpunim dhe angazhimit të stafit në procesin e numërimit/vlerësimit të votave nga jashtë vendit, trajtimit të ankimimeve, si dhe procesit të rinumërimit në vijim”

Avatar photo
Dallandyshe Hoxha
2 Shtator, 12:26 | Përditësimi: 2 Shtator, 22:23