Grabitësit perplasen me arme me policine, plagoset njëri, tjetri vihet në pranga

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm (24 gusht) në autostradën Durrës–Tiranë, pranë zonës së Sukthit, ku dy persona të armatosur u përplasën me armë zjarri me forcat e Policisë.

Dy të rinjtë, që më datë 20 gusht kishin vjedhur një automjet në zonën e Sektorit Rinia, Durrës, e kishin përdorur një ditë më pas për të grabitur me dhunë një shumë parash në një pikë karburanti në Sukth.

Automjeti i vjedhur u lokalizua nga shërbimet e Policisë rreth orës 01:00 të mëngjesit të sotëm, pranë vendit të quajtur “Çifligu” në Sukth. Pasi nuk iu bindën urdhrit për të ndaluar, autorët vijuan me shpejtësi drejt Tiranës. Gjatë ndjekjes, makina doli nga rruga pranë rrethrrotullimit të mbikalimit në Vorë, duke marrë drejtimin për Shijak. Nga brenda automjetit, ata qëlluan me armë zjarri ndaj punonjësve të rendit, të cilët u kundërpërgjigjën në kushtet e mbrojtjes së nevojshme.

Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, u plagos 28-vjeçari A. D., banues në Bilalas, Shijak, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën. Bashkëpunëtori i tij, 27-vjeçari L. Ç., gjithashtu nga Bilalasi, u neutralizua dhe u arrestua pas rezistencës së armatosur.

Nga vendngjarja, Policia sekuestroi një armë zjarri automatik tip kallashnikov dhe dy krehra fishekësh, të përdorura nga autorët gjatë përplasjes.

Në operacion morën pjesë shërbimet e Policisë së Durrësit, me mbështetje nga forcat e DVP Tiranë. Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Nga vendi i ngjarjes, forcat e rendit sekuestruan një armë zjarri tip kallashnikov me dy krehra fishekësh.

Njoftimi:

Vodhën një automjet dhe e përdorën për të kryer vjedhje me dhunë në një karburant në Sukth, por u identifikuan nga Policia.Gjatë ndjekjes, dy autorët hapën zjarr ndaj shërbimeve të Policisë dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, njëri prej tyre mbeti i plagosur.

Autori tjetër, pas rezistencës me armë ndaj shërbimeve të Policisë, u neutralizua dhe u vu në pranga.

Shërbimet e Policisë sekuestruan një armë zjarri kallashnikov dhe dy krehra fishekësh.

Rreth orës 01:00 të mëngjesit të sotëm, në autostradën Durrës-Tiranë, te “Çifligu” në Sukth, shërbimet e Policisë konstatuan automjetin e vjedhur më datë 20.08.2025, në orën 20:30, në Sektor Rinia, Durrës, me të cilin, më datë 21.08.2025, rreth orës 03:40, sipas njoftimit të një shtetasi të punësuar në një karburant në Sukth, ishte grabitur me dhunë shuma e lekëve të xhiros.

Shërbimet e Policisë së Durrësit u vunë në ndjekje të automjetit, i cili po lëvizte me shpejtësi në drejtim të Tiranës, dhe u njoftua edhe DVP Tiranë për ndihmë.

Si pasojë e shpejtësisë së madhe, pa shkuar në Vorë, tek rrethrrotullimi i mbikalimit në rrugën dytësore që shkon për Shijak, automjeti doli nga rruga dhe, gjatë kësaj kohe, nga brenda tij u hap zjarr ndaj punonjësve të Policisë, të cilët, të gjendur përballë kësaj situate, u përgjigjën me zjarr, në kushtet e mbrojtjes së nevojshme. Si pasojë, u plagos njëri nga autorët, shtetasi A. D., 28 vjeç, banues në Bilalas, Shijak, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Personi tjetër, shtetasi L. Ç., 27 vjeç, banues në Bilalas, Shijak, pasi bëri rezistencë me armë ndaj punonjësve të Policisë, duke rrezikuar jetën e tyre, u neutralizua dhe u kap nga shërbimet e Policisë Durrës.

Gjatë veprimeve të Policisë së Durrësit, kanë ardhur në mbështetje edhe forcat e Policisë së DVP Tiranë.

Në vendin e ngjarjes u gjet një armë zjarri automatik me 2 krehra, e përdorur nga dy personat e sipërpërmendur.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna nga Sektori për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë në DVP Durrës, për dokumentimin e ngjarjes së ndodhur.