Ura e dëmtuar në Mat paralizon trafikun drejt Veriut, emigranti humb avionin pas 5 orësh pritje

Lënia pas dore e urës së vjetër mbi lumin Mat, që lidh Lezhën me Shkodrën, ka përkeqësuar ndjeshëm situatën e trafikut në aksin veri-jug të Shqipërisë. Prej ditësh, rruga që përshkon qarkun e Lezhës është kthyer në një makth për drejtuesit e mjeteve, për shkak të fluksit të jashtëzakonshëm të automjeteve dhe mbylljes së urës për shkak të dëmtimeve të rënda në strukturën e saj.

Një prej qytetarëve që u prek drejtpërdrejt nga kjo situatë është Oltioni, një emigrant shqiptar i kthyer për pushime nga Italia. Ai humbi avionin për shkak të vonesave të tejzgjatura.

“Në orën 20:30 kisha avionin dhe llogarita të nisesha rreth orës 15:00 nga Lezha, që të mbërrija në kohë në Rinas. Por 5 orë nuk mjaftuan për të përshkuar vetëm 40 kilometra rrugë. Trafiku ishte i jashtëzakonshëm dhe ngela i bllokuar,” tregon ai për portalin tonë.

Përveç humbjes së avionit, Oltioni pësoi edhe një dëm financiar prej 400 eurosh, vlera e biletës së humbur.

“Kjo situatë është e papranueshme dhe nuk më kishte ndodhur më parë. As në sezonet e mëparshme nuk ka pasur një kaos të tillë rrugor,” shtoi ai.

Mbyllja e urës mbi lumin Mat ka rënduar më tej lëvizjen në këtë aks jetik për veriun e vendit. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një afat të saktë për rikonstruksionin apo hapjen e përkohshme të një kalimi alternativ. Ndërkohë, qytetarët kërkojnë zgjidhje urgjente dhe investime serioze në infrastrukturë për të shmangur situata të tilla që dëmtojnë lëvizjen, ekonominë dhe jetën e përditshme.