
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, të enjten monedha europiane u këmbye me 97.15 lekë, niveli më i ulët i shënuar ndonjëherë. Kursi vazhdon të jetë në rënie edhe me bazë vjetore. Krahasuar me të njëjtën ditë të vitit të kaluar, kursi Euro-Lek është në rënie me 2.7%. Sipas ekspertëve të këmbimit valuator, kursi i këmbimit vazhdon të jetë nën efektet sezonale të lidhura me turizmin. Muajt e verës shoqërohen me ofertë të shtuar valutore, për shkak të rritjes së numrit të vizitorëve të huaj. Oferta e lartë valutore në treg vazhdon të zhvendosë kursin e Euros në rënie, pavarësisht madje edhe ndërhyrjeve të vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë. Duke filluar nga tremujori i dytë i vitit, Banka Qendrore ka rifilluar blerjet e valutës për të frenuar mbiçmimin e monedhës vendase. Megjithatë, as kjo nuk ka mjaftuar për të shmangur forcimin e mëtejshëm të Lekut. Shifrat e blerjeve në tregun valutor publikohen me një tremujor vonesë dhe për momentin nuk ka një informacion lidhur me volumin e valutës që po tërheq Banka e Shqipërisë nga tregu. Në periudhën korrik-gusht të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë bleu 176 milionë euro, blerje që mjaftuan vetëm për ta mbajtur kursin pak më lart kufirit të 98 lekëve.