Grenell: Trump shpëtoi Qendrën Kennedy nga shembja, siguroi 257 milionë dollarë pas një vizite shokuese në godinë

Ish-ambasadori amerikan dhe drejtuesi aktual i përkohshëm i Qendrës Kennedy, Richard Grenell, ka deklaruar se presidenti Donald Trump ka luajtur një rol kyç në shpëtimin e këtij institucioni të njohur kulturor amerikan nga shkatërrimi.

Në një postim në rrjetet sociale, Grenell theksoi se Qendra, e cila është ndërtuar si një memorial i gjallë për Presidentin John F. Kennedy dhe konsiderohet si një prej simboleve më të rëndësishme të kulturës amerikane, ishte në gjendje të rënduar përpara ndërhyrjes së Trump.

Sipas tij, ekspertët që shqyrtuan strukturën e godinës qenë ndarë mes dy zgjidhjeve drastike: shembja e plotë ose një restaurim urgjent dhe masiv. Ai kritikoi gjithashtu prioritetet e mëparshme të administratës, që kishte investuar në ndërtimin e hapësirës së re “The Reach”, në vend që të përqendrohej te shpëtimi i godinës ekzistuese.

Grenell kujtoi një episod gjatë një vizite të Donald Trump në Qendër, ku, sipas tij, presidenti mbeti i shokuar nga gjendja fizike e ndërtesës. Pasi pa nga afër dëmtimet, Trump, ende pa u larguar nga zona me autokolonë, kontaktoi personalisht anëtarë të Kongresit për të garantuar mbështetjen financiare të nevojshme.

“Donald J. Trump absolutisht e shpëtoi Qendrën Kennedy nga shkatërrimi,” deklaroi Grenell, duke bërë me dije se pas kësaj vizite u siguruan 257 milionë dollarë fond për restaurimin e institucionit.

Deklaratat e Grenell vijnë në një kohë kur administrata e re e Qendrës Kennedy ka nisur një fazë të re reformash dhe rikonstruksioni. Megjithatë, ka pasur edhe polemika mbi gjendjen financiare dhe menaxhimin gjatë viteve të fundit. Ish-drejtoresha Deborah Rutter ka mohuar çdo akuzë për keqmenaxhim, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për shtrembërim faktesh.

E inauguruar në vitin 1971, Qendra Kennedy mbetet një prej institucioneve më të rëndësishme të arteve skenike në Shtetet e Bashkuara, duke përfaqësuar një simbol të kulturës kombëtare dhe një homazh të përhershëm për trashëgiminë e Presidentit John F. Kennedy.