
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Maliqit pasditen e së enjtes. Një 14-vjeçar, identifikuar si Erald Xhejo, humbi jetën si pasojë e plagëve të marra nga një bashkëmoshatar i tij gjatë një konflikti në ambientet e një lokali në fshatin Pirg.
Sipas informacioneve paraprake, dy të miturit janë përfshirë fillimisht në një debat verbal, i cili më pas ka degjeneruar në përleshje fizike. Në një moment, njëri prej tyre ka nxjerrë një mjet prerës – dyshohet thikë – dhe ka goditur rëndë shokun e tij. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor në spitalin e Korçës, Erald Xhejo nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Burimet bëjnë me dije se viktima dhe autori i dyshuar kishin pasur një konflikt të mëparshëm, megjithatë ende nuk janë sqaruar rrethanat dhe motivet e plota të ngjarjes. Sipas dëshmive jashtë kamerave, dy adoleshentët janë takuar rastësisht në lokal dhe kanë tentuar të sqarojnë situatën mes tyre, por gjithçka ka përfunduar në tragjedi.
Ajo që e bën edhe më të dhimbshme këtë ngjarje është fakti se autori i dyshuar, gjithashtu 14 vjeç, rezulton të ketë postuar më parë në rrjetet sociale foto ku pozonte me armë gjahu tip çifte dhe publikonte shprehje të frikshme si:
“Unë do shfaqem kur nuk ta pret mendja.”
Sipas të njëjtave burime, i mituri është njohur nga bashkëmoshatarët si një adoleshent problematik dhe i dhunshëm.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa po punohet për të gjetur mjetin prerës të përdorur në krim. Autori i dyshuar ndodhet aktualisht nën kujdes mjekësor për dëmtime të lehta dhe është marrë në pyetje nga autoritetet në spitalin e Korçës.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje alarmet për dhunën në rritje mes të miturve, mungesën e kontrollit prindëror dhe ndikimin e rrjeteve sociale në normalizimin e sjelljeve të dhunshme. Shumë qytetarë e kanë krahasuar këtë rast me vrasjen tragjike të Martin Canit disa muaj më parë në Tiranë.