Policia britanike apel për kapjen e Ilir Kumbaros, ish-zyrtarit të SHIK të zhdukur që nga 2011

Londra, 6 gusht 2025 – Policia Metropolitane e Londrës i është rikthyer çështjes së Ilir Kumbaros, ish-zyrtar i lartë i SHIK-ut, i zhdukur prej vitit 2011 dhe i dënuar në mungesë me 15 vite burg për rrëmbimin dhe torturimin e Remzi Hoxhës, një biznesmen shqiptaro-maqedonas.

Në një apel të publikuar sot, policia britanike i kërkon qytetarëve ndihmë për të gjetur vendndodhjen e Kumbaros, i cili nuk u paraqit në gjykatë më 2011, pikërisht ditën kur pritej vendimi për ekstradimin e tij në Shqipëri.

“Ky person, sot 70 vjeç, është në kërkim për krime që lidhen me rrëmbim dhe torturë. Ai theu lirimin me kusht dhe është zhdukur pa lënë gjurmë,” – thuhet në apelin e Metropolitan Police, të siguruar nga gazetari Muhamed Veliu për Top Channel.

Zhdukja dhe rasti “Remzi Hoxha”

Ilir Kumbaro ishte një nga drejtuesit e operacionit të SHIK-ut më 21 tetor 1995, gjatë të cilit u rrëmbyen Remzi Hoxha, Zizo Kristopulli dhe Avdyl Loshaj në zonën e “Frigoriferit” në Tiranë. Trupi i Hoxhës nuk është gjetur kurrë, dhe ngjarja konsiderohet si një nga krimet më të errëta të periudhës post-komuniste shqiptare.

Në vitin 2012, Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë dënoi në mungesë Kumbaron me 15 vite burg, ndërsa të tjerë zyrtarë të SHIK-ut u shpallën të pafajshëm, për shkak të mungesës së provave.

Pamjet e fundit të Kumbaros datojnë në vitin 2010, kur ai nënshkroi në polici si pjesë e detyrimit për paraqitje. Që prej dhjetorit 2011, ai është zhdukur pa gjurmë dhe nuk dihet nëse ka lënë territorin e Britanisë apo fshihet ende brenda saj.

Ky apel i fundit i autoriteteve britanike nënvizon se hetimet për rastin e Remzi Hoxhës mbeten ende të hapura dhe kërkohet ndihma e publikut për zbardhjen e së vërtetës dhe ndëshkimin e përgjegjësve